Projektligji për vetingun e punonjësve të Policisë së Shtetit sqaron në mënyrë të detajuar mënyrën se si do të kryhet procedura e kontrollit. “Shqiptarja.com” ka zbardhur subjektet që do t’i nënshtrohen kontrollit. Gjithashtu sqarohen rastet se kur efektivët e policisë do të largohen nga puna pas përfundimit të procesit të vetingut. Po kështu projektligji sqaron në mënyrë të detajuar edhe rastet e konfirmimit në punë apo për dënimet alternative.

KUSH DO KONTROLLOHET

Sipas projektligjit 12 mijë punonjësit e policisë do të kontrollohen nga dy komisione; nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vlerëson punonjësit në pozicionet ose me gradat e mëposhtme:

a) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i drejtorisë qendrore, drejtor e zëvendësdrejtor vendor dhe shef komisariati, në Policinë e Shtetit;

b) Komandant e Zëvendëskomandant, si dhe çdo oficer me gradë major, Nënkolonel dhe Kolonel në Gardën e Republikës;

c) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij, si dhe drejtorë e shefa sektori, në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ndërsa Komisioni Qendror i Vlerësimit vlerëson: a) punonjësit e Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në strukturat e veçanta, me përjashtim të atyre të përcaktuar në germën “a”, të pikës 1, të këtij neni, punonjësit e Akademisë së Sigurisë, Institutit të Policisë Shkencore, si dhe në strukturat e veçanta; b) punonjësit e Gardës së Republikës me gradë Nëntoger, Toger, Nënkapiten, Kapiten; c) të gjithë punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, me përjashtim të atyre të përcaktuar në germën “c”, të pikës 1, të këtij neni.

PROCEDURA

Projektligji i ri rregullon procedurën e vlerësimit, duke parashikuar rregulla të përgjithshme të zhvillimit të saj, si veprimet dhe verifikimet që mund të kryejnë organet e vlerësimit, informacionet që mund të përdorin etj. Është parashikuar gjithashtu mënyra e bërjes së njoftimit për çfarëdolloj komunikimi gjatë procesit të vlerësimit. Janë përcaktuar gjithashtu, të drejtat e punonjësve që i nënshtrohen procesit të vlerësimit, mjetet për kërkimin e të dhënave apo informacioneve, si dhe rastet kur punonjësit i kufizohet e drejta e informimit.

Po kështu janë parashikuar edhe llojet e të dhënave mbi të cilat organet e vlerësimit mund të kenë akses, si: për gjendjen gjyqësore të punonjësit, në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, në të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike, trusteve apo marrëveshjeve të tjera të ngjashme, etj. Në dispozitat e projektligjit, janë përcaktuar elementët e vendimit të organeve të vlerësimit, i cili mund të jetë vendim për:

– Konfirmimin në detyrë;

– Detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit

– Përjashtimin nga detyra.

Kështu, punonjësi që i është nënshtruar vlerësimit kalimtar, sipas këtij ligji, konfirmohet në detyrë në rast se plotëson së bashku kushtet e mëposhtme: a) arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë; b) arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës; c) arrin nivel të mjaftueshëm të vlerësimit profesional. Në këtë rast, Trupa e Vlerësimit arsyeton në vendim se punonjësi konsiderohet i përshtatshëm për të vazhduar ushtrimin e detyrës. Nëse është vendosur që punonjësi duhet të ndjekë programin e trajnimit, ai duhet të kryhet, brenda një periudhe 1-vjeçare nga momenti i dhënies së vendimit.

KUR PERJASHTOHEN EFEKTIVET

Punonjësi që i është nënshtruar vlerësimit, përjashtohet nga detyra në këto raste:

a)kur deklaratat përmbajnë të dhëna të rreme;

b) kur rezulton se ka fshehur pasuri, gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të;

c) kur pasuria e deklaruar apo e justifikuar nuk mund të justifikohet nga burime të ligjshme të ardhurash;

d)kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës;

e) kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Në rast se punonjësi që i nënshtrohet i vlerësimit përfundon programin e trajnimit, Akademia e Sigurisë i paraqet Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të institucionit ku është i punësuar punonjësi, rezultatet e provimit përfundimtar, duke u shprehur nëse përfundon me sukses ose jo. Në rast të kundërt, punonjësi përjashtohet nga detyra. Kundër vendimeve të organeve të vlerësimit, punonjësi mund të paraqesë ankim në gjykatën kompetente sipas legjislacionit në fuqi.

VLERESIMET PERIODIKE

Dispozita e fundit e projektligjit, përcakton transpozimin e sistemit të vlerësimit kalimtar në një sistem periodik vlerësimi, me qëllim ruajtjen e standardeve që do të përfitohen në përfundim të procesit të vlerësimit kalimtar, sipas këtij projektligji. Kështu, është parashikuar që të gjithë punonjësit që emërohen në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe në SHÇBA, duhet të plotësojnë formularët e detyrueshëm, sipas shtojcave të këtij ligji.

Gjithashtu, është parashikuar, që vlerësimi i punonjësve të institucioneve të sipërpërmendura, mund të bëhet periodikisht sipas vlerësimit të Ministrit të Brendshëm, me propozimin e titullarëve të këtyre institucioneve. Në këtë rast, procedura e vlerësimit dhe organet përgjegjëse, përcaktohen më udhëzim të Ministrit të Brendshëm.

Artikulli paraprakBLLOKOHEN 13 MIJË TURISTË NGA MOTI I KEQ
Artikulli tjetërVENDIMI I OPOZITËS, BLLOKIM PARLAMENTIT, JO DJEGIE MANDATESH