Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra dy gjyqtarë, Shkëlzen Selimin dhe Bledar Abdullain. Komisioni e nisi punën me dhënien e vendimit për gjyqtarin e Tiranës, Bledar Abdullai, i cili u shkarkua nga detyra, pasi bashkëjetuesja nuk justifikon 400 mijë euro

Ndërsa i dyti që u shkarkua sot ishte gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjatë seancës dëgjimore KPK tha se Selimi u vlerësua vetëm për pastërtinë e figurës dhe jo për pasurinë apo aftësitë profesionale.

Sipas KPK Selimi kishte dy kontakte të papërshtatshme të cilat me sa duket i kushtuan detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Vetë gjyqtari e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore. Selimi nuk mori pjesë as në seancën e sotme të vendimmarrjes.

Pas shkarkimit të Selimit, duket se edhe Gjykata e Lartë do të pësojë fatin e Kushtetueses, e cila u bllokua prej Vettingut.

Deri më tani nga Gjykata e Lartë nga nëntë anëtarë (përfshirë edhe kryetarin Zaganjori), sitën e Vettingut e kanë vetëm katër prej tyre. Në pritje mbetet vendimi për gjyqtarin Medi Bici, i cili ditën e sotme zhvilloI seancën dëgjimore.

Problem për Bicin është pasuria, ku për secilën prej aseteve ai deklaron si burim të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllezërve emigrantë në Itali, pa specifikuar kontributin e secilit prej tyre.

Sipas raportit të ILDKP-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim pasurie.

Sot është një ditë e ngjeshur për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi janë planifikuar që të zhvillohen disa seanca.

Pas Bledar Abdullait, Selimit dhe Bicit, në orën 12:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore me Gentjan Medjan, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë.

Në orën 14:30 është parashikuar seanca dëgjimore me Besnik Muçin, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Dhe në fund në orën 16:00 është seanca dëgjimore me Brunilda Kadin, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Artikulli paraprakKONFLIKTI NË PUKË, POLICIA ARRESTON EDHE 30-VJEÇARIN QË QËLLOI ME ARMË NË BANESË
Artikulli tjetërI FUNDIT I GJYKATËS SË LARTË DEL PARA VETTINGUT, BICI RREZIKON NGA VËLLEZËRIT EMIGRANTË