Fitorja e Vllaznisë ndaj Tërbunit u mendua se edhe matematikisht zgjidhi problemin e mbijetesës për kuqeblutë por në fakt vetëm pas pak orësh nuk rezultoi kështu.

Festa e shkodranëve për mbijetesën shtyhet sërish sepse në kryeqytet por edhe në Vlorë ka surpriza. Natyrisht që për Bylisin që ndodhet 5 pikë larg Vllaznisë apo Flamurtarin që është 2 pikë nga shkodranët dhe Laçin me vetëm një pikë më pak duhet të ndodh mrekullia që të ketë një rrokullisje e cila do të bënte që kuqeblutë të bien nga Superliga. Sidoqoftë matematikisht loja ende është e hapur, kjo pasi atëherë kur askush nuk e priste Partizani nuk diti të shfrytëzonte takimin në Tiranë ndaj Bylisit. Për çudinë e të gjithë skuadra e vendit të parafundit ka fituar me ekipin që po rivalizon për titullin kampion. Ballshiotët jo vetëm se hapën shpresën e tyre për mbijetesë por edhe ndalën Partizanin duke bërë që të thellohet diferenca e tyre me Skënderbeun e vendit të parë. Edhe korçarët u ndalën në një barazim 1-1 në Durrës ndaj Teutës por që i mjafton për të çuar në 5 pikë diferencën me të kuqtë e Partizanit. Për të mos mjaftuar të gjithë këto rezultate surprizuese dhe vështirë të parashikueshme një lajm që nuk gëzon shumë Vllazninë erdhi edhe nga Vlora teksa Flamurtari vendas arriti të fitojë përballë Tiranës me rezultatin 2-1, fitore që po ashtu lejon vlonjatët që të shpresojnë që të mos jenë ata një prej ekipeve që do bien nga Superliga. Kjo javë përveç fitores që arriti Vllaznia të gjitha rezultatet e tjera nuk janë aspak në favorin e shkodranëve. Fitorja e Bylisit ndaj Partizanit dhe ajo e Flamurtarit ndaj Tiranës kanë bërë që gjithçka të mbetet ende e hapur. Duhen edhe dy javë që kampionati të mbyllet dhe Vllaznia luan me Tiranën në transfertë dhe më pas pret Bylisin në ndeshjen e fundit në Shkodër. Sido që të shkojnë gjërat, nëse llogaritë nuk mbyllen as në javën e parafundit atëherë Vllaznia ka në dorë fatet e saj në javën e fundit përballë Bylisit. Ky kampionat po rezulton ndër më të fortët si në vendet e kreut e aq më tepër edhe në zonën e ftohtë teksa ende nuk dihet se cila do jetë skuadra që do shoqërojë Tërbunin një kategori më poshtë.

Artikulli paraprakMIRATOHET NË PARIM, REFORMA NË DREJTËSI
Artikulli tjetërFEMRA, VLLAZNIA FESTON TITULLIN KAMPION TË FITUAR