Klubi i futbollit Vllaznia ka reaguar pas dhunimit të autobuzit të tifozëve të Vllaznisë në përfundim të ndeshjes me Tiranën në transfertë.

Pas fitores që shkodranët morën në shifrat 2-1 ndaj bardhebluve tifozët e Tiranës kanë sulmuar autobuzin e tifozëve të Vllaznisë duke i thyer xhamat dhe duke gjuajtur në drejtim të tyre me sende të forta. Ky gjest është dënuar nga klubi Vllaznia me një deklaratë zyrtare ku thuhet “Një gjest shumë i turpshëm ka ndodhur në përfundim të ndeshjes Tirana- Vllaznia, luajtur në kryeqytet. Një grup tifozësh të Tiranës kanë sulmuar autobuzin e tifozëve të Vllaznisë sapo ai ka nisur rrugëtimin nga stadiumi ‘Selman Stermasi’ në drejtim të Shkodrës. Ata e kanë gjuajtur autobuzin e tifozëve tanë me gurë duke thyer tre xhama të tij. Një gjest i cili nuk duhet përkrahur nga askush sepse sjellja e tifozëve të Vllaznisë nuk ka lënë vend për një reagim të tillë të tifozëve kundërshtarë. Natyrisht që ne kërkojmë ndërhyrjen e forcave të rendit për të ndaluar përgjegjësit e kësaj ngjarje të turpshme, ashtu si dhe distancimin e Klubit Tirana nga një veprim i tillë i tifozëve të tij. Futbolli duhet të shërbejë për bashkimin e njerëzve dhe jo të bëhet vatër e veprimeve të tilla të turpshme siç ishin ato të mbrëmjes të së premtes të tifozëve bardheblu”-përfundon deklarata e klubit Vllaznia. Dy tifozëritë ajo e Tiranës dhe e Vllaznisë vazhdojnë që të kenë raporte të tensionuara mes tyre dhe sa herë dy skuadrat e tyre përballen me njëra-tjetrën situata në shkallët e stadiumit apo edhe jashtë tyre nuk është asnjëherë e qetë në mes dy tifozërive.

Artikulli paraprakCUNGU: VLLAZNIA MBETET NJË ‘LUAN’ I FUTBOLLIT
Artikulli tjetërVRASJA E LOPËS SJELL DËNIM ME BURGIM TË PËRJETSHËM