Vllaznia do të lërë pas mungesat e shumta të cilat e kanë shoqëruar gjatë këtyre javëve të fundit.

Ndaj Flamurtarit, ku kuqeblutë fituan 2-1 për stafin teknik nuk ishte aspak e lehtë sepse disa prej futbollistëve munguan. Para dhe pas ndeshjes trajneri Armando Cungu e ngriti këtë shqetësim bashkë me vështirësitë nga mungesat. Ndeshja e radhës që do të jetë në Laç, Vllazninë e gjen në pozita më komode. Përveçse është rikthyer një lloj qetësie pas fitores ndaj vlonjatëve, për stafin teknik nuk do të ketë edhe aq shumë dhimbje koke sepse rikthehen disa prej lojtarëve që munguan javën e fundit. Ndaj laçianëve pritet që të mos ketë asnjë mungesë nëse edhe java stërvitore mbyllet ashtu siç duhet për skuadrën shkodrane. Ndaj Flamurtarit, futbollistët e Vllaznisë morën 4 karton të verdhë por asnjëri prej tyre nuk mungon ndaj Laçit. Tashmë tekniku Cungu do të ketë të gatshëm mbrojtësin e djathtë Pjeshka duke lënë të lirë Shtubinën që të luaj në sulm dhe të mos detyrohet që të bëjë mbrojtësin. Mesfusha do të përforcohet sepse Bardulla ka kaluar situatën e tij shëndetësore teksa ishte me temperaturë para sfidës ndaj Flamurtarit. Duke parë rikthimin e këtyre dy futbollistëve dhe gjendjen e përmirësuar edhe të disa të tjerëve që patën shqetësime të vogla, tekniku Cungu është i qetë në këtë aspekt. Duke qenë se Laçi thuajse është dorëzuar totalisht në kampionat duke e patur mendjen vetëm tek finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia mund ta shfrytëzojë shumë mirë këtë moment për të siguruar një rezultat pozitiv aq më tepër me në krye Armando Cungun, ish-trajnerin e Laçit që e njeh shumë mirë atë ekip.

Artikulli paraprakFUTBOLL FEMRA, GRIMA E NIS ME HUMBJE, HUNGARI-SHQIPËRI 6-0
Artikulli tjetërLUFTA NDAJ KANABIS SATIVËS, TAKIM NË BASHKINË VAU DEJËS