Lëvizjet e ditës së djeshme të Vllaznisë në merkato, shoqëruar me firmat në kontratë të Ylli Hoxhës dhe Ditmar Bicajt, kanë rritur atmosferën në radhët e tifozërisë shkodrane, e cila në fakt ka qenë shumë e zhgënjyer nga drejtuesit e klubit deri në këtë periudhë.

Megjithatë, tani e tutje gjërat duket se do të shkojnë ndryshe. Skuadra ka nisur të marrë formë dhe tashmë, duke nisur nga porta dhe deri te mesfusha, ajo është e plotësuar. Për portën ka tri alternative, me Agoviç, Selimajn e Sherrin. Në mbrojtje, ndërkohë, ardhja e Bicajt ka plotësuar kërkesën e stafit teknik për një tjetër lojtar cilësor. Edhe në mesfushë, me marrjen e Yll Hoxhës, gjërat janë rregulluar jo pak gjërat. I vetmi problem për trajnerin Cungu është gjetja e një mesfushori me tipare sulmuese. Për këtë vend ai kishte menduar në fakt malazezin Cetkoviç, që ishte shumë pranë firmës në Shkodër, megjithatë në fund zgjodhi të luante në Bosnjë. Ditën e sotme është folur për një mundësi të marrjes së shqiptaro-maqedonasit Nderim Nexhipi, që më parë ka luajtur me Partizanin dhe Flamurtarin, por drejtuesit e Vllaznisë duket se nuk e kanë në planet e tyre një futbollist të tillë. Përveç mesfushorit sulmues, Vllaznia e ka shumë të nevojshme edhe marrjen e një sulmuesi cilësor dhe, nëse do të gjendej një i tillë, atëherë padiskutim që skuadra në sezonin e ri do të futej jo me objektivin për të mbijetuar. Merkatoja e deritanishme e kuqebluve ka treguar se po bëhet me shumë kujdes dhe lëvizjet kanë qenë të pakta, por të sakta. Të paktën në letër. Për të tjerat, duhet pritur.

Artikulli paraprakBICAJ, NJË PËRFORCIM PËR PRAPAVIJËN KUQEBLU
Artikulli tjetërNË “LORO BORIÇI” DO TË LUHET EDHE NDESHJA ME IZRAELIN