Vllaznia vazhdon që të jetë në kërkim të lojtarëve të ndryshëm për t’i sjellë në skuadër.

Së fundmi një tjetër emër që mund të vishet kuqeblu pas Gocajt dhe Pepës mund të jetë mbrojtësi shtatlartë Ylli Shameti. Aktualisht luan me Kukësin dhe ka kontratë deri në përfundim të pjesëmarrjes së Kukësit në Kupat e Europës. Pas përfundimit të kontratës me kuksianët Shameti mund të vijë në Shkodër. Bisedimet me të sapo kanë nisur dhe ende nuk ka asgjë konkrete. Gjithsesi burime pranë futbollistit në fjalë bëjnë me dije se ka një dëshirë që ai të jetë pjesë e Vllaznisë. Ajo që mbetet për t’u parë nëse Shameti do të vijë apo jo në Shkodër është natyrisht ana financiare. Palët mbeten për ta diskutuar në vijimësi këtë pjesë dhe në rast se bien dakord atëherë mbrojtësi mund të vijë në Shkodër. Vllaznia tentoi edhe me mbrojtësit e tjerë Bicaj dhe Jashanica por kërkesat e tyre të larta financiare kanë bërë që drejtuesit të shohin edhe mundësi të tjera. Po ashtu edhe Vrapi më shumë duket larg kuqebluve duke qenë se kërkon një rritje të vlerës së kontratës së tij. Nga ana tjetër mësohet se Vllaznia me shumë mundësi fazën përgatitore do ta bëjë në Serbi ose Malin e Zi. Shteti malazez ka qenë shpesh herë vendi ku kuqeblutë kanë zhvilluar fazën përgatitore por nuk përjashtohet as Serbia.

Artikulli paraprakFESTA E SHËN PALIT, KRYETARI I BASHKISË VAU DEJËS URON BESIMTARËT
Artikulli tjetër“EURO 2016”, ITALIA “PUSHTON” FORMACIONIN MË TË MIRË TË 1/8-AVE