Vllaznia i është rikthyer seancave stërvitore pas pushimeve gjatë këtyre ditëve. Futbollistët dhe stafi teknik i kësaj skuadre kanë kaluar pak ditë pushime, të cilat kanë qenë të domosdoshme për ta. Ndërkohë që, të enjten e 26-dhjetorit, skuadra kuqeblu është rikthyer sërish në fushën e stërvitjes për të vijuar me proçesin e përgatitjeve për gjysmën e dytë të kampionatit. Në fakt, këto ditë pushimi kanë qenë shumë pozitive, nisur nga situata problematike që po kalonte Vllaznia sa i takon dëmtimeve të futbollistëve. Stafi shpreson shumë që problemet e tyre të kalojnë dhe shumica e lojtarëve të jenë të gatshëm për ndeshjen e 11-janarit kundër Tiranës në “Loro Boriçi”, ku do të tentojnë patjetër fitoren dhe nisjen mbarë të vitit të ri.
Ndërkohë, sa i takon merkatos, drejtuesit e klubit kuqeblu janë vendosur në kërkim të futbollistëve për të përforcuar prapavijën. Nga sa mësohet, kuqeblutë po studiojnë tregun vendas dhe atë në rajon për të përforcuar prapavijën. Më herët, Vllaznia ka afruar për prapavijën shkodranin Serjan Repaj, teksa tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes mes palëve. Ndërkohë, përveç përforcimeve në mbrojtje, trajneri Thomas Brdariç e ka shprehur hapur synimin për të marrë edhe një tjetër sulmues që të jetë alternative e Balajt dhe për sulmin, shkodranët po tentojnë ish-futbollistin e Partizanit, Alfred Mensah, i cili po flitet për një kalim te Vllaznia. Poashtu, përveç afrimeve, në klubin e Vllaznisë pritet të ketë edhe largime.
Nga informacionet që vijnë pranë klubit kuqeblu, Vllaznia me gjasa pritet të ndërpresë bashkëpunimin me qendërmbrojtësin Marko Juriç, por edhe ndonjë futbollist tjetër të prapavijës. Gjithsesi, gjithçka pritet të zyrtarizohet në ditët në vazhdim. Ndërkohë, të hënën e 30-dhjetorit, kuqeblutë kanë planifikuar të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me ekipin e Ilirisë së Fushë-Krujës, një skuadër kjo që konkurron në kampionatin e Kategorisë së Dytë dhe drejtohet nga ish-futbollisti i Vllaznisë, Dritan Smajli. Ndeshja në fjalë është planifikuar të luhet të hënën në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 14:00.