Vllaznia ka vendosur të shkarkojë trajnerin Qatip Osmani dhe ndihmësin e tij Bashkim Livoreka vetëm katër javë nga fundi i sezonit dhe gara në “Final 4”.

Drejtuesit shkodranë kanë zyrtarizuar gjithçka në orët e vona të së enjtes, teksa përkohësisht në stol do drejtojë një tjetër Osman, drejtori sportiv nga Korça, Tefiku.

Sa i takon shkarkimit të Qatip Osmanit, trajnerit nga Maqedonia e Veriut nuk i mjaftuan 40 pikë në 22 ndeshje për të mbajtur vendin e punës dhe fill pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës nga Egnatia vjen një vendim i tillë.

I çuditshëm, për vetë faktin se tekniku ia doli të kthejë në shina një ekip që e gjeti të pamotivuar dhe pa pikë, kjo pas shkarkimit të Migen Memellit. Prej 31 tetorit 2023 dhe deri më 25 prillin 2024 Osmani u ul në stolin shkodran për 27 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Me 52 pikë Vllaznia mban vendin e dytë dhe është pranë zyrtarizimit në “Final 4” për të luftuar për titullin kampion në Superligë.

Statistikat e Qatip Osmanit te Vllaznia:

Në kampionat

22 ndeshje – 40 pikë të grumbulluara (11 fitore, 7 barazime, 4 humbje. Golavarazhi 28-19)

Në Kupën e Shqipërisë

5 ndeshje (2 fitore, 1 barazim, 2 humbje: Golavarazhi 12-5)

Artikulli paraprakMBRETËRIA E BASHKUAR NIS TESTIMIN E VAKSINËS SË PARË KUNDËR KANCERIT TË LËKURËS
Artikulli tjetërFALSIFIKONIN LETRA ME VLERË, ARRESTOHEN NË HAN TË HOTIT DY SHTETAS ITALIANË