Skuadra e Vllaznisë do t’i thotë lamtumirë pushimeve.

Burime pranë klubit shkodran bëjnë me dije se të mërkurën futbollistët dhe stafi teknik do t’i rikthehen punës. Ekipi kuqeblu do të rinisë seancat stërvitore në këto ditë të para të janarit për t’u bërë gati kështu për pjesën tjetër të sezonit të mbetur. Nga sa mësohet në stërvitjen e së mërkurës pritet që të mos ketë mungesa dhe pjesa më e madhe e lojtarëve të jenë të pranishëm nën urdhërat e trajnerit Armando Cungu. Natyrisht që pas ditëve të pushimit në ndërrimin e viteve seanca stërvitore nuk do të ketë një ngarkesë normale por më shumë fokusohet ushtrime të lehta për të nisur kështu gradualisht përgatitjet e janarit. Burime pranë Vllaznisë shprehen se nuk pritet që të ketë lojtarë të tjerë përveç grupit aktual të futbollistëve çka do të thotë se ende nuk ka asnjë lëvizje për lojtarë që mund të vijnë për t’u provuar. Një gjë e tillë pritet që të ndodh në ditët në vazhdim. Edhe pse trajneri Cungu por edhe drejtuesit e klubit kanë konfirmuar për një situatë jo shumë të favorshme ekonomike për goditje në merkato, kjo nuk do të thotë se në skuadër nuk do vijnë lojtarë për t’u provuar. Brenda mundësive ekonomike që ka klubi do të bëhen disa tentative për të gjetur të paktën një sulmues qoftë brenda apo edhe jashtë vendit. Në repartet e tjera janë më të pakta shanset për të bërë përforcime ndërsa siç kanë konfirmuar edhe më përpara nga Vllaznia pritet që të mos ketë largime të tjera duke qenë se lojtarët janë nën kontratë dhe nuk do lejohen nga drejtuesit që të shkojnë në ekipe të tjera.

Artikulli paraprakMEDIAT TURKE PUBLIKOJNË VIDEON E TERRORISTIT
Artikulli tjetërVENDI YNË DO TË VIZITOHET NGA NJË FIGURË E RËNDËSISHME