Vllaznia U-21 ka marrë një tjetër fitore në kampionat, këtë herë ndaj Partizanit me rezultatin 3-2, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Antonio Delaj ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të, kur shënoi golin e parë për Vllazninë, por 15-minuta më vonë, Partizani barazoi shifrat. Në këtë mënyrë, pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-1.

Ndërkohë, në fillimin e pjesës së dytë, Partizani kalon në avantazh, por vetëm katër minuta më vonë do të ishte mbrojtësi Ditmir Beci, që do të shënonte golin e barazimit, duke bërë që gjithçka të vendosej në baraspeshë. Megjithatë, në minutën e 90-të, do të ishte një krosim i Çobës nga e djathta për Bruno Gomes që me kokë brenda zonës, do ta dërgonte topin në rrjetë, duke i dhënë në këtë mënyrë fitoren 3-2 Vllaznisë U-21. Pas ndeshjes, trajneri i ekipit kuqeblu, Ergi Borshi, përgëzoi futbollistët e tij për këtë sukses.

Trajneri i Partizanit, Gerd Haxhiu, tha se rezultati nuk është shumë i rëndësishëm në këtë nivel të këtij kampionati.

Kapiteni i Vllaznia U-21 në këtë ndeshje, Mersian Muliu u rikthye sërish në fushën e lojës pas një viti e gjysëm larg saj si pasojë e një dëmtimi, teksa tashmë ai është i lumtur për këtë rikthim.

Me këtë trepikësh, Vllaznia U-21 ngjitet në vendin e katërt të renditjes me 22-pikë.

Artikulli paraprakPËRCILLET NË BANESËN E FUNDIT ALBRI BRAHUSHA
Artikulli tjetërBIE NUMRI I LINDJEVE NË SHKODËR, SHKAK EMIGRACIONI