Volejbollistja shkodrane Amela Qershia do t’i japë lamtumirën Shkodrës. Qershia sapo ka firmosur një kontratë të re në Amerikë me ekipin e MSU Denver Voleyball. Në këtë mënyrë volejbollistja shkodrane ka bërë një hap tejet të rëndësishëm në karrierën e saj duke firmosur me klubin amerikan dhe duke siguruar kështu të ardhmen e saj.

Njoftimi zyrtar për këtë kontratë mes amerikanëve dhe Amela Qershisë e ka bërë vetë klubi MSU Denver Voleyball në faqen e tyre zyrtare duke konfirmuar kështu se shkodrania tashmë do të largohet nga Vllaznia për të nisur një aventurë të re. Firmosjes së kësaj kontrate të re klubi amerikan i ka kushtuar rëndësi teksa shkruan se “Ne kemi nënshkruar me Amela Qershia e cila vjen tek MSU Denver nga Shkodra, Shqipëria. Ajo ka ndihmuar ekipin e qytetit të saj, Vllaznia, të fitojë 4 tituj kampionë me U19 dhe luan për ekipin kombëtar shqiptar.

Mirësevjen tek Denver Amela!”- shkruhet në faqen e këtij klubi. Patjetër që ky është një nga momentet më të rëndësishme për Amela Qershia e cila do të duhet të shkojë drejt Amerikës. Largimi i saj nga skuadra kuqeblu padyshim që do të ndjehet tepër sepse ka qenë një prej pikave më të forta të skuadrës dhe tashmë papritur, Vllaznia nuk do ta ketë më në përbërje të saj duke qenë kështu një mangësi e madhe për skuadrën që drejtohet nga trajneri Mark Kroqi.

19 vjeçarja Qershia që në moshë të vogël ka treguar aftësitë e saj ndërsa ka ardhur duke u rritur duke qenë kështu një lojtare e rëndësishme për Vllazninë por edhe për kombëtaren e volejbollit. Vllaznia në volejboll për femra këtë sezon ka zhvilluar disa ndeshje të mira dhe kërkon që të shkojë edhe më tutje duke pretenduar në Play Off ndaj edhe është duke u parë mundësia për ta përforcuar skuadrën.

Por tashmë me largimin e Qershisë vajzave kuqeblu do t’i duhen minimalisht dy përforcime cilësore sepse natyrshëm kërksat janë më të larta sepse kampionati sa vjen dhe bëhet më i fortë. Amela Qershia luan si pasuese dhe ky vend tek Vllaznia për momentin lihet bosh. 19 vjeçarja shkodrane pritet që të niset brenda pak ditëve drejt Amerikës për të vijuar kështu një aventurë të re në volejbollin amerikan me skuadrën e Denver Voleyball për të treguar edhe atje vlerat e saj.

Artikulli paraprakSHORTI PËR ANËTARËT E KED, META: TANI, E RËNDËSISHME MBETET VEPRIMTARIA PLOTËSISHT TRANSPARENTE
Artikulli tjetërLEZHË, BASHA TAKON BANORËT E PREKUR NGA TËRMETI