Një tjetër lajm i mirë vjen për shumësportëshin në qytetin e Shkodrës.

Gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj do të zhvillohen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Pas kënaqësisë me gjysmëfinalet dhe finalen e Kupës në basketboll për meshkuj tashmë edhe për volejbollin i njëjti kompeticion do të organizohet në Shkodër. Ky është vendimi më i fundit i Federataës Shqiptare të Volejbollit. Ende nuk është përcaktuar data e sakta e zhvillimit të këtyre ndeshjeve. Në fakt ishte parashikuar 11 dhe 12 marsi por për shkak të memorialit ndërkombëtar të boksit, kupa në volejboll për meshkuj është vendosur që të shtyhet në një datë tjetër të përshtatshme. Në gjysmëfinale ne volejboll skuadra e meshkujve të Vllaznisë do të luaj përballë ekipit të Teutës. Ndeshja tjetër do të jetë ajo mes Tiranës dhe Studentit. Për shkodranët përballja në gjysmëfinale e dy ekipeve të kryeqytetit ia lehtëson situatën edhe pse edhe Teuta është një ekip pretendent këtë sezon. Gjithsesi objektiv i Vllaznisë në këtë kompeticion është dalja në finale dhe pse jo edhe fitimi i trofeut të Kupës. Vllaznia ka shumë vite që është shumë pranë fitimit të trofeve por për shkak të rrethanave të ndryshme nuk ia ka arritur qëllimit. Këtë vit volejbollistët shkodran po bëjnë një paraqitje të mirë qoftë në kampionat por edhe në kupe duke qenë një prej ekipeve pretendente dhe duke marrë fitore të rëndësishme ndaj rivalëve direkt që ka. Natyrisht që një meritë në këtë mes ka edhe “Sport Klub Vllaznia” për kërkesën dhe këmbënguljen që Kupa e Shqipërisë në volejbollin e meshkujve të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Në përballjet gjysmëfinale dhe në finale pritet që tifozët shkodran të mbushin pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Artikulli paraprakSPORTI NË SHKOLLA, MUNGON INFRASTRUKTURA
Artikulli tjetërNDRYSHIME NË RRJETIN SOCIAL ‘FACEBOOK’