Humbja në Korçë javën e kaluar i ka kushtuar shumë Vllaznisë së volejbollit të meshkujve. Ajo është mposhtur edhe nga Erzeni brenda në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe si rrjedhojë, tashmë e sheh veten jashtë gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Ndeshja ndaj shijakasve nuk nisi mirë për ekipin shkodran. Seti i parë do të fitohej pa shumë vështirësi nga miqtë me rezultatin 25-15 dhe më pas, me të njëjtën mënyre loje, Erzeni mori edhe të dytin në shifrat 25-18, duke krijuar në këtë mënyrë një avantazh shumë të madh drejt fitores.

Megjithatë, Vllaznia u “zgjua” në setin e tretë, të cilin gjithsesi e fitoi me vështirësi në shifrat 25-23 dhe rihapi ndeshjen, duke shpresuar që të fitonte edhe setin e katërt për ta çuar ndeshjen në set final, por nuk ndodhi një gjë e tillë. Seti i katërt kishte shumë rivalitet, por në momentet e fundit të tij, Erzeni tregohet më i saktë, duke përfituar edhe nga gabimet e volejbollistëve të Vllaznisë dhe si rrjedhojë, e fiton atë 27-25 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, tha se ekipi i tij gaboi në momentet deçizive të lojës.

Nga ana tjetër, trajneri i Erzenit, Ilia Koja, u shpreh se fati në këtë ndeshje i buzëqeshi ekipit të tij.

Pas ndeshjes me Erzenin, Vllaznia me 7-pikë të grumbulluara nuk ka asnjë shans për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, teksa një gjë të tillë e kanë bërë realitet Erzeni dhe Skënderbeu.

Artikulli paraprak“RRUGËTIMI IM” PREZANTOHET NË LEZHË
Artikulli tjetërGJYKATA KUSHTETUESE PEZULLOI MARRËVESHJEN ME ITALINË PËR EMIGRANTËT, REAGIMI I PARË I RAMËS