Ekipi i meshkujve të volejbollit të Vllaznisë ka fituar ndeshjen e parë të fazës play-off të kampionatit. Fitorja e tyre ishte dramatike, sepse ata ishin në humbje 0-2, por në fund fituan me përmbysje përmes shumë emocionesh me rezultatin 3-2. Kuqeblutë e trajnerit Artan Kalaja u ndeshën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me Studentin, ku humbën dy setët e para në shifrat 25-21 dhe 25-18, por fituan tre të tjerët në shifrat 26-24, 25-22 dhe setin final 15-13. Përfundimisht, 3-2 për Vllazninë që fiton ndeshjen e parë të fazës play-off kundër Studentit.

Kështu, Vllaznia në volejboll për meshkuj hedh një hap të rëndësishëm për kualifikimin në gjysmëfinale të kampionatit. Ndeshja e dytë luhet të shtunën në Tiranë dhe në rast fitoreje të kuqebluve, gjithçka mbyllet aty. Në rast të kundërt, do të ketë një ndeshje të tretë dhe të fundit të mërkurën e ardhshme sërish në Shkodër.

Artikulli paraprakSHUMËSPORTËSHI I VLLAZNISË TRE MUAJ PA PAGA
Artikulli tjetërMETA: NJË TJETËR QEVERI SHQIPTARE NË PRISHTINË, SHËNON VETËM PROGRES