
Edhe pse ka startuar sezoni i ri, hallet duket se kanë mbetur të njëjta për Vllazninë e volejbollit të femrave. Vajzat kuqeblu e kanë nisur me humbje kampionatin kombëtar, teksa në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” janë mposhtur me rezultatin 0-3 nga Teuta. Ndeshja ka zgjatur pak më shumë se një orë dhe shkodranet nuk kanë mundur të rivalizojnë seriozisht përballë skuadrës durrsake që ishte më e kompletuar. Teuta, e përforcuar me disa lojtare me përvojë dhe me volejbolliste të huaja, e ka kontrolluar takimin dhe ka marrë fitoren brenda tre seteve, me shifrat 25-15, 25-16 dhe 25-18. Për Vllazninë, kjo humbje është një tjetër sinjal i vështirësive që po shoqërojnë ekipin prej kohësh.
Pas ndeshjes, trajneri Dorian Tafa u pa shumë i mërzitur për situatën në të cilën ndodhet skuadra e tij, teksa problemet e sezonit të kaluar duket se janë bartur edhe në këtë kampionat të ri. Çështja kryesore mbetet ajo e financave dhe e pamundësisë për të ndërtuar një ekip konkurrues. Fondet që Vllaznia e volejbollit të femrave përfiton nga Bashkia Shkodër nuk mjaftojnë për afrimin e lojtareve cilësore, duke e lënë skuadrën kuqeblu në një situatë të vështirë. Pas këtij starti, mbetet për t’u parë sesi do të vazhdojë kjo situatë në vijim, pasi për momentin, gjërat mbeten të paqarta, teksa trajneri Tafa dhe volejbollistet kuqeblu duhet të përballen edhe këtë sezon me një realitet shumë të vështirë për ta pranuar në aspektin sportiv.


