
Vllaznia e volejbollit për meshkuj e ka nisur me fitore kampionatin e ri kombëtar. Kuqeblutë kanë mposhtur Elbasanin me rezultatin e pastër 3-0, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja nuk e pati të lehtë në setin e parë, teksa Elbasani rezistoi deri në fund. Rezultati shkoi në 24-24, por në momentet vendimtare Vllaznia tregoi më shumë qetësi dhe e fitoi setin 26-24. Seti i dytë ishte më i qetë për shkodranët, të cilët dominuan dhe e mbyllën atë në shifrat 25-15. Rivaliteti u kthye në setin e tretë, por edhe këtë herë Vllaznia ruajti avantazhin në fund dhe fitoi 25-23, duke siguruar suksesin 3-0.
Një nisje pozitive kjo për Vllazninë, edhe pse sfidat e ardhshme pritet të jenë më të forta dhe do të tregojnë më qartë potencialin e kësaj skuadre. Por nëse në parket Vllaznia e nisi me fitore, në tribuna situata ishte krejt ndryshe. Pallati i sportit “Qazim Dervishi” ishte thuajse bosh, me një numër shumë të ulët tifozësh të pranishëm. Vetëm rreth 14-mbështetës ndoqën nga afër ndeshjen e javës së parë, një shifër që ngre pikëpyetje për interesimin ndaj sporteve të lojërave me dorë në Shkodër. Në fakt, mungesa e tifozëve nuk lidhet vetëm me këtë takim, pasi kjo situatë ka qenë edhe në sezonet e kaluara. Megjithatë, një gjë e tillë rikthen një diskutim të madh se çfarë po ndodh me lojërat me dorë në qytetin e Shkodrës dhe pse sportet që kanë një traditë të rëndësishme po përballen me një interes gjithnjë e më të ulët nga publiku.


