Bathore,vret babanë e plagos nënën para dasmës së motrës

Një ngjarje e rëndë, një krim brenda familjes ka tronditur këtë mesditë Bathoren, ku djali ka vrarë me armë zjarri babain si dhe ka plagosur nënën. Policia bën me dije se 21-vjeçari Mirald Metallari, ka marrë armën e shërbimit të të atit, ka qëlluar mbi të dy prindërit, ku si pasojë ka mbetur i vrarë i ati, 62 vjeçari Miftar Metallari, punonjës policie dhe ka plagosur të ëmën, 47 vjeçaren Nurie Metallari, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se djali është zënë me babain dhe më pas ka marrë armën dhe e ka qëlluar. Nëna në përpjekje për të shuar konfliktin i ka dalë përpara dhe e kanë kapur plumbat. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja. Mësohet se babai ka kërkuar që të ndërtohet një mur betoni në oborrin e shtëpisë, çka kundërshtohej nga 21-vjeçari. Në sherr e sipëri riu ka marrë armën e të atit dhe ka qëlluar 62-vjeçarin duke e lënë të vdekur. Konflikti mes babë e bir ka qënë me tone të larta. Dëshmia autorit: Jam i shokuar, shkatërrova familjen “Jam i tronditur nuk e di se çfarë bëra, po debatonim për një mur të vogël betoni. Më pas duke u zënë mora armën dhe qëllova. Nuk e di si ma bëri dora. Godita dhe nënën pa dashje pasi u fut para babait. Shkatërrova familje, prisha dhe dasmën. Jam i shokuar””, mësohet të ketë thënë në polici i riu. Fqinjët e përshkruajnë familjen një familje të qetë dhe se i riu nuk ka qënë problematik. I riu vazhdonte Universitetin dhe kishte një vit që kishte ardhur nga Gjermania pasi nuk kishte mundur të siguronte kërkesën për azil. Sipas të dhënave mësohet se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë ndërsa trupi i pajetë i policit u gjet në ambientet e jashtme në oborr. Fqinjët shprehen për Report Tv se 21-vjecari pasi kreu vrasjen doli në rrugë me pistoletë në dorë dhe thirri komshinjtë që të lajmëronin ambulancën. Më pas ai mori makinën e babait për të transportuar nënën në spital. Edhe familjarët të tronditur për ngjarjen shprehen se nuk e dinin nëse mes babë bir kishte ndonjë konflikt. Familja Metallari ka edhe dy vajza të tjera dhe tragjedia e kësaj të diele ka ndodhur vetëm tre javë para se të martonin njërën prej tyre . Njoftimi i policisë Më datë 24.07.2017, rreth orës 11:20, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në Bathore. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar dyshohet se shtetasi Mirald Metallari, 21 vjeç, ka marrë armën e shërbimit të të atit, ka qëlluar mbi të dy prindërit, ku si pasojë ka mbetur i vrarë i ati,shtetasi M. M., 62 vjeç, punonjës policie dhe ka plagosur të ëmën, shtetasen N. M., 47 vjeçe cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi M.M., u kap nga shërbimet e policë gjatë kohës kur po transportonte të ëmën në spital dhe shoqërua në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja dhe një pistoletë e llojit TT Model 56. Grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

Artikulli paraprakATMOSFERË POZITIVE TEK VLLAZNIA
Artikulli tjetërSHQIPTARI KAPET DUKE MARRË NË DORËZIM 12 KG HEROINË