Pas takimit me Kryeministrit Rama paraditen e sotme, ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane, në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth është pritur edhe nga ministri Xhafaj.

Ministri i Brendshëm e konsideroi fat për vendin, që ka një avokat të tillë në rrugën evropiane. Xhafaj e konsideroi me rëndësi mbështetjen e vendeve anëtare për hapjen e negociatave, si një mundësi jo për qeverinë dhe mazhorancën,

por si shans për shqiptarët që besojnë në ëndrrën evropiane. Z.Xhafaj tha se çelja e negociatave do të përshpejtonte ritmin e reformave të ndërmarra.

Ministri i Shtetit z.Roth konfirmoi se vizita në Tiranë e bën më të qartë rëndësinë që i kushton Gjermania, integrimit të Shqipërisë në Evropë. Sipas tij, të gjitha reformat e nisura po japin tashmë frytet.

Xhafaj e njohu ministrin gjerman me disa nga detajet e reformës në drejtësi dhe rëndësinë për proceset integruese, duke veçuar faktin se ajo tashmë është një model edhe për vendet e rajonit.

Ai prezantoi Dokumentin e Prioriteteve të MB-së në fushën e rendit dhe sigurisë dhe evidentoi kontributin e ekspertëve gjermanë në hartimin e tij.

Gjithashtu u ndal tek rezultatet e punës së Policisë dhe agjencive ligj zbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, operacionin ndërkombëtar “Anti-skifter”, si dhe masat kundër kultivimit të kanabisit.

Në përgjigje të interesit të ministrit Roth, z.Xhafaj shpjegoi hapat dhe ecurinë e procesit të Vetting-ut në Polici, projektin e Policimit në Komunitet, si dhe masat për uljen e fenomenit të azil kërkimit që kanë dhënë rezultate të dukshme që nga vjeshta e vitit të kaluar.

Artikulli paraprakANALIZAT, PERSONI QË U VRA DHE U DOGJ ËSHTË XHAFER OSMANI
Artikulli tjetërMETODAT E REJA TE KULTIVUESVE, HASHASHI DO TË RRITEJ MES LOPËVE