Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhevdet Amuli, përmes një shkrimi në faqen e tij Facebook i bën thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë dhe të mendojë një strategji më të mirë për qytetarët shqiptarë në lidhje me situatën aktuale.

“Nuk pritej asgjë më e mirë nga ato që dështuan në menaxhimin e situatës së tërmetit, vetëm disa muaj më parë. Duke lënë kështu të pastreha shumë familje,që përveçse kaluan dimrin në çadra, po kalojnë edhe këtë virus që po bën kërdinë në botë,totalisht të pambrojtur e në kushte tepër të këqija.

Edhe njëherë qeveria Rama dëshmoi që po keqpërdor lekët e shqiptarëve dhe tani del me një plan aspak ndihmues as për shtresat në nevojë,as për punëtorët,as për biznesin e vogël e aq më pak për biznesin e madh.

Për shtresat në nevojë miraton një grant nga i cili,nuk do të shihet as një qindarkë nga shtresat në nevojë, e njëjta gjë vlen edhe për biznesin e vogël ku thotë që do të mbulojë rrogat, por njëkohësisht qeraja kundrejt pronarëve do të vazhdojë.

E sa i përket biznesit të madh, po përpiqet vetëm ta shkatërrojë nëpërmjet kësaj politike, ku si në asnjë vend në botë,biznesit të madh i kërkohet të marrë kredi për të paguar rrogat në një situatë të jashtëzakonshme. Kam bindjen,që kjo pikë e planit të tij jo vetëm që nuk do të ndihmojë askënd, por do të thellojë papunësinë në nivele të frikshme.

Prandaj, i bëj thirrje qeverisë të reflektojë,sepse kjo situatë nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh, përkundrazi sa bëhet më serioze dhe e vështirë dita ditës.” shkruan ai.

 

Artikulli paraprakRAMA: DUHET T’I NDALIM ME ÇDO KUSHT DHE DO TË PËRDORIM ÇDO MJET, DERI NË HEQJEN E PLOTË TË LIRISË NËSE NUK DO TË TËRHIQEN URGJENTISHT NGA RRUGA E TYRE QORRE.
Artikulli tjetërI DËNUAR PËR KRIME SEKSUALE TË RËNDA NË ITALI, KUSH ËSHTË 52-VJEÇARI QË U ARRESTUA NË SHKODËR