Heroi i Ukrainës me madhësinë e një shishe birre është Patron, një qen i racës “Jack Russell” që nuhat minat, ka marrë një medalje nderi nga presidenti Zelensky dhe tashmë ka llogarinë e tij në Twitter ku i tregon botës përpjekjet e tij të guximshme dhe pa dyshim gustot për modën.

Ai është aktualisht qeni ukrainas më i preferuar në botë, dhe pas videos për shpërblimin me një medalje për trimërinë, tashmë ka 250,000 ndjekës në Instagram.

Patroni 2-vjeçar është padyshim ylli i billbordeve që simbolizojnë sfidën e vendit të tij ndaj Vladimir Putinit. Ai është ‘shpirti’ i grupit dhe ndihmon Shërbimin Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (SES) në pastrimin e eksplozivëve.

Patron fillimisht u ble për t’u shfaqur në shfaqjet e qenve, por tani ka zbuluar më shumë se 200 mina tokësore vdekjeprurëse ruse dhe bomba të pashpërthyera.

Ai mori famë për herë të parë kur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës postoi një video në internet duke punuar në qytetin verior të Chernihiv, të shkatërruar nga lufta.

Ai mori medaljen e tij në pallatin presidencial në Kiev me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, i cili gjatë vizitës po e vështronte dhe e admiroi punën e tij në terren. Pronari i tij Mykhailo Iliev është një ekspert për asgjësimin e bombave dhe menjëherë pasi bleu Patron ai kuptoi se sa i dobishëm mund të ishte qeni në punën e tij.

“Kjo është jeta e tij, është gjithçka që ai ka ditur. Është thjesht çështje rastësie që ne kemi një qen kaq të aftë. Ai nuk është një qen shërbimi, ai është kafsha ime, por ka një hundë të mahnitshme dhe është një nxënës i zjarrtë. Ai ishte menduar të ishte një qen për shoë, por fati i tij ishte të shpëtonte jetë njerëzish, jo të fitonte çmime”, tha Mykhailo.

Prej gjashtë muajsh, Patron u trajnua për të zbuluar TNT dhe barut. Kur e bën këtë, ai ndalet i ngurtë dhe qëndron me hundën poshtë derisa Mykhailo dhe ekipi i tij afrohen. Por ai ndonjëherë mund ta shohë punën e tij rraskapitëse. Disa ditë ai është aq i lodhur sa nuk e ha darkën e tij.

“Ai vjen në shtëpi, pi një ujë dhe thjesht del jashtë. Por ai gjithmonë zgjohet i emocionuar për të shkuar përsëri në punë ditën tjetër”, thotë Mykhailo.