Ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudare, i cili gjindet në Zveçan. Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Se barrikadat do të largoheshin bëri të ditur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Vuçiç takoi ata mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën. Pas takimit, Vuçiç tha se “besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”. Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri mbetën të bllokuara për qarkullim. Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër u vendos në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë në Merdare. Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Institucionet e Kosovës thanë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Më 28 dhjetor, Pantiçit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Ai aktualisht është duke qëndruar në shtëpinë e tij dhe për të siguruar se nuk shkel masën e arrestit shtëpiak, institucionet e Kosovës kanë kërkuar ndihmën e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Për shkak të bllokimit të rrugëve nga barrikadat, Policia e Kosovës e kishte të pamundur ta transferonte Pantiçin në ndonjë qendër ndalimi. Nga dita e arrestimit e deri më 28 dhjetor, Pantiç u mbajt në qendrën e ndalimit në stacionin policor në Jarinjë. Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë. Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave si dhe respektim të marrëveshjeve të Brukselit.

Barrikadat s’u larguan pa ‘marrëveshje’
Për 20 ditë rresht barrikadat mbajtën të bllokuar veriun. Qeveria e Kosovës kërkoi nga KFOR-i që t’i largonte ato. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thanë se KFOR-i kishte kërkuar më shumë për të bërë një gjë të tillë – në të kundërtën thanë se do t’i largonin vet. Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla tha se ekzistonin të gjitha kapacitetet. Megjithatë KFOR-i, vazhdimisht ftoi palët që të gjenin zgjidhje për largimin e barrikadave përmes dialogut. Derisa barrikadat bllokonin rrugët, misioni i EULEX-it, disaherë përsëriti se kishte prezencë të shtuar të njerëzve të maskuar dhe të armatosur në afërsi të barrikadave në veri.

Çfarë u parapriu tensioneve në veri?
Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua muajve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targa ilegale me akronimin “KM” si dhe akronime tjera “PR”, “GL”, “PE” etj.. të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Vendimi i kundërshtua nga serbët lokal si dhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë qeveria e Kosovës ishte e vendosur për implementimin e këtij vendimi edhe përkundër faktit se komuniteti ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në kërkonin më shumë kohë. Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç. Pas suspendimit të drejtorit Gjuriq, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i Serbëve në Kosovë njoftoi largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e tij në punë si dhe sic tha kryetari i saj, Goran Rakiq, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serb të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror. Derisa komuniteti ndërkombëtarë ka kërkuar rikthimin e serbëve nëpër institucione, zyrtarë të qeverisë përfshi kryeministrin Albin Kurti kanë thënë se kthimi i tyre nuk mund të jetë çështje politike, duke shtuar se është çështje ligjore e kushtetuese.

Artikulli paraprakSI TA BËNI VITIN 2023 MË TË LUMTUR DHE MË TË SUKSESSHËM?
Artikulli tjetërRRITJA E INFEKTIMEVE ME KORONAVIRUS, BRITANIA E MADHE PRITET TË MBYLLË KUFIJTË, MINISTRI I MBROJTJES: I FRIKËSOHEMI …