Pas shuarjes së vatrave të zjarrit, në Athinë vijojnë operacionet e kërkimit për të gjetur personat e zhdukur nga flakët që përfshinë periferinë e kryeqytetit ditën e hënë dhe që vazhduan për tre ditë.

Deri tani numri i viktimave është 81, por mund të rritet, pasi janë mbi 100 të zhdukur, ndërsa shumë të tjerë janë të plagosur në spitale.

Mes viktimave, zyrtarisht deri tani është edhe një shqiptare, ndërsa ambasada konfirmoi dje se janë gjashtë të plagosur.

Por bilanci mund të rritet, pasi një emigrant shqiptar theksoi se një familje nga Saranda dhe një i ri nga Tepelena ende nuk janë gjetur pas rënies së zjarrit.

Shtëpitë ku banonin janë shkatërruar nga zjarret, ndërsa banorët e prekur janë evakuuar në një kamp pushimi të zonës i cili është shndërruar në një strehë banimi të përkohshme deri në rikthimin e normalitetit në zonat e shkretuara nga zjarri.

Autoritetet greke vijojnë shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur. I pari që ka shkuar në zonat e prekura nga zjarri ka qenë ministri Kamenos, i cili është përballur me zemërimin qytetar.

‘Ju na latë në mëshirë të Perëndisë, pse nuk kishte plane evakuimi’ iu drejtua një nga banorët e zonës së Matit në Athinë, ministrit të Mbrojtjes.

Ndërsa një tjetër banore në lot u shpreh se ‘Asgjë nuk na la, u dogj gjithcka’.

Artikulli paraprakSHPËRTHIM PRANË AMBASADËS AMERIKANE NË PEKIN
Artikulli tjetërHUMBI DY FËMIJËT DHE BURRIN NË ZJARRET QË PËRPINË MATIN, LETRA E GRUAS PËRLOT BOTËN