Zv/Presidenti amerikan mbërrin në Mal të Zi, nesër takon Ramën e Thaçin

ZëvendësPresidenti amerikan Mike Pence ka mbërritur në një vizitë dyditore në Malin e Zi. Pence u prit në aeroportin e Podgoricës nga kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç. Gjatë ditës së nesërme, ai pritet të takojë edhe Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi zyrtar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan dhe kryeministrit malazes është planifikuar për të mërkurën, kur do të zhvillohet edhe Samiti i liderëve të vendeve të rajonit në kuadër të Kartës Amerikane të Adriatikut. Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon. Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi janë ftuar të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, ai i Sllovenisë Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq si dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq. Nga kabineti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është konfirmuar se gjatë qëndrimit në Podgoricë, ai do të takojë zëvendëspresidentin Pence, raporton Rel. “Ky takim do të zhvillohet në Podgoricë, në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter’ (Kartës SHBA-Adriatik), të mërkurën më 2 gusht dhe organizohet nën patronazhin e Maqedonisë dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin nga kabineti i Thaçit. Presidenti i Kosovës, vijon njoftimi, do të kërkojë nga zëvendëspresidenti Pence përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit. Pas samitit, është paralajmëruar që zëvendëspresidenti Pence do t’i takojë edhe liderët e vendeve të rajonit. Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s. Autoritetet e Malit të Zi e kanë cilësuar vizitën e Mike Pence si historike dhe shumë të rëndësishme për këtë vend dhe për orientimin pro-perëndimor të shtetit malazias.

Artikulli paraprakSI MORËN NËNSHTETËSINË BRITANIKË GJASHTË VRASËSIT SHQIPTARË
Artikulli tjetërQENDRA EUROPIANE E DROGAVE: SHQIPËRIA NË QENDËR TË HARTËS, NË TREGUN 9.3 MILIARDË EURO TË KANABISIT