12 orë pas masakrës së Selenicës ku mbetën 8 vikitma të së njëjtës familje policia ka arrestuar autorin, Ritvan Zykaj.

 

Ai ishte fshehur pranë fshatit dhe me vete mbante edhe armën e krimit. Autori është pikasur nga policia në orën 5 të mëngjesit të sotëm.

 

Zykaj është parë nga një efektiv i RENEA-s, i cili monitoronte zonën me dylbi. Ai ka kërkuar përforcime pasi autori ishte i armatosur. Pak minuta më vonë i kanë bërë thirrje që të dorëzohej. Autori ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet me vrap. Forcat RENEA i janë lëshuar nga pas duke e arrestuar.

 

Fjalët e para që ka thënë pasi policia e ka neutralizuar janë të pakta. Ai ka pranuar krimin dhe ka kërkuar avokat.

“Unë i vrava, me gjeni avokat”, mësohet të ketë thënë Ritvan Zykaj.

Ai ka shtuar se ishte përballur me akuza të vazhdueshme nga kushërinjtë e tij të parë, por shton se pulat nuk ua ka vjedhur ai.

 

“Ata më akuzonin për çdo gjë. Unë s’kam vjedhur asnjë pulë”, mësohet të ketë shtuar ai.

 

Ndonëse besohet të vuajë nga problemet mendore, Zykaj është justifikuar duke thënë se ishte i dehur. Por këto pretendime u rrëzuan nga prindërit në komisarit dhe nga dëshmia e gjyshit të tij që tha se i riu kishte konsumuar vetëm një birrë gjatë festës familjare.

 

“Një tjetër e mori me vete”, tha ai.

Masakra  ndodhi ditën e djeshme rreth orës 18:00 në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë pas sherrit për pulat mes dy familjeve të të njëjtit fis dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Një nga gratë e familjes, teksa ndodheshin në një drekë familjare e ka akuzuar se i kishte vjedhur pulat dhe kaq ka mjaftuar që i riu të ngrihet, të marrë armën. Ai qëlloi mbi tetë persona, anëtarë të një familje. Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 15 dhe 8-vjeç si dhe tre gra.

 

Emrat viktimave jane: Demir Zykaj 76 vjeç (kryefamiljar), Perri Zykaj 76-vjeç (bashkëshorte) Besim Zykaj 45-vjeç (bir), Azem Zykaj 49 vjeç (bir) Vasilika Zykaj 40 vjeç (nuse), Afërdita Zykaj 47-vjeç (nuse) Sara Zykaj 15 vjeçe (mbesë) dhe Ledion Zykaj 8 vjeç (nip). Ritvan Zykaj ishte kushëri i parë me familjet e viktimave bëhet me dije se viktimat janë qëlluar nga distancë e afërt prej 3-4 metrash.

 

Fshati Resulaj ndodhet rreth 60 minuta larg Bashkisë Selenicë. Raportohet se autori vuan nga probleme mendore pasi ka shpëtuar nga një zjarr i rënë në fshat nga i cili kishte pësuar djegie në 80% të trupit dhe prej atëherë ka shfaqur probleme. Madje njëri prej kushërinjve që vrau dje e ka ndihmuar të shpëtojë nga zjarri.