NISIN DY HETIME, NË FRANCË MOTRA LA VËLLAIN NDËRSA BABAI DY FËMIJËT. Braktisja e të miturve në shtete të ndryshme të Europës, nga qarku i Shkodrës, po kthehet në një fenomen shqetësues duke krijuar një precedent të ri edhe për autoritetet europiane.

Vetëm brenda dy ditëve drejtoria rajonale e policisë të qarkut Shkodër, përmes komunikatave për shtyp, bën zyrtare dy raste kur të rriturit kanë braktisur familjarët e tyre në moshë të mitur nën 18-vjeç në shtetet europiane. Kështu shtetasja Mirela H, vjeç 24, banuese në fshatin Mjedë me 13 shtator të këtij viti u largua nga porti i Durrësit, bashkë më vëllain e saj, shtetasin B.Ç, vjeç 15. Sipas policisë i mituri 15 vjeçar është braktisur në Francë nga e motra natyrisht me qëllimin që shtetasi B.Ç të regjistrohet si azilkërkues. Shtetasja Mirela H. pas shoqërimit që i ka bërë të vëllait, është kthyer e vetme drejt Shqipërisë pas afro një muaji duke ngjallur dyshime për policinë. Ky nuk është rasti i vetëm. Në 11 shtatorin e vitit të kaluar shtetasi I.U, vjeç 50, banues në Shkodër nga porti i Durrësit bashkë me 2 fëmijët e tij 14 dhe 16 vjeç u larguan nga Shqipëria për të përfunduar në Francë. Pas vetëm 10 ditësh, me 21 shtator të 2013-ës, shtetasi I.U është kthyer në Shqipëri duke lënë dy fëmijët e tij të mitur në Nicë të Francës. Prokuroria e Shkodrës nën akuzën ‘‘braktisje e të miturve’’ po heton shtetasin 50 vjeçar ndërkohë që dy fëmijët e tij vazhdojnë ende edhe pas një viti që nga dita e nisjes të jenë në shtetin francez të regjistruar si azilkërkues. Kjo është një metodë e cila është ndjekur herë pas here nga shqiptarët. Duket se shtimi i azilkërkuesve të mitur ka shqetësuar autoritetet europiane të cilët kanë kërkuar që shteti shqiptar të marrë masa. Vetëm një ditë më parë 60 shtetas shqiptar u kthyen nga vendet Shengen për shkak si kishin shkelur rregullat për qëndrimin në vendet e BE. Nga ana tjetër nëse ritmet e azilkërkuesve rriten atëherë Shqipëria rrezikon seriozisht heqjen e vizave për vendet që janë në Shengen, alarm të cilin nga Shkodra e dha edhe ambasadori gjerman para pak kohësh.  

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/IC_IjrsfyN4?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakFILLON PUNA PËR STADIUMIN “LORO BORIÇI”
Artikulli tjetërKAMPIONATI I SHKOLLAVE, FITON “NDRE MJEDA”