13 vite më parë me 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e “lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi krejt jetën.

Papa Gjon Pali II, i cili e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, e cila vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare, shprehu dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin. Pikërisht kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga shteti shqiptar. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, emër të cilin e mori kur themeloi urdhrin “Misionarët e Dashurisë “ në vitin 1951 për t’u shërbyer të varfërve dhe të pashpresëve të Indisë. Nënë Tereza ka deklaruar se prej gjaku jam shqiptare, prej kombësie indiane, prej besimi katolike, prej thirrje e mbarë botës dhe prej zemrës një me zemrën e Krishtit. Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Në vitin 2003 aeroportit të Tiranës, iu dha emri “ Nënë Tereze”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj. Pikërisht 13 vite pas lumturimit humanistja e madhe u shenjtërua nga Papa Françesku duke qenë tashmë Shën Tereza e duke bërë krenar mbarë shqiptarët.

Artikulli paraprakVELEÇIKU PO KALON NË NJË SITUATË TË VËSHTIRË
Artikulli tjetërBEKTESHI: STUDENTËT ZGJEDHIN UNIVERSITETET PUBLIKE