Pavarësisht reshjeve të shiut, vatrat e zjarrit kanë qenë të pranishme në qarkun Shkodër gjatë 24 orëve të fundit njoftojnë Emergjencat Civile.

Të dyja këto vatra janë konstatuar në rrethin e Malësisë së Madhe. Bëhet me dije se ka rënë zjarr në shkurre dhe kullotë në fshatin Bajzë, Njësia Administrative Kastrat. Shërbimi vendor i zjarrfikësve të bashkisë Malësi e Madhe ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues që kanë shuar zjarrin.

Si pasojë e flakëve janë djegur rreth 8 ha me shkurre dhe kullotë. Ndërkohë, një tjetër zjarr ka rënë në sipërfaqe me kullotë në fshatin Jubicë, Njësia Administrative Qendër. Ndërhyrja e zjarrfikësve të Bashkisë Malësi e Madhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, por janë djegur rreth gjysmë hektari kullotë. Ndërkohë, një ditë më parë në zonën e Malësisë së Madhe, një zjarr masiv ka përfshirë grumbuj me mbetje në vendin e quajtur Koplik i Sipërm.

Nga ana tjetër, në shkallë vendi janë shënuar 18 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit duke djegur me dhjetëra hektarë pyje dhe shkurre. Emergjencat Civile bëjnë me dije se për shuarjen e zjarreve janë angazhuar mbi 130 forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe struktura të tjera të Emergjencave Civile. Ndërkohë është kërkuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve për konstatmin e zjarreve dhe forcave vullnetare për shuarjen e tyre.

Artikulli paraprakAMBULANTËT NË BASHKI, “KËRKOJMË TREGJE”
Artikulli tjetërNIS APLIKIMI NË UNIVERSITETE PËR SHKODRËN