Si sot, më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi katolik e shkrimtari shquar shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618.

Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622, njoftoi VaticanNews.

Veprat e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621).
Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe.

Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Vajti e mësoi për prift në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum ), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore.
Në moshën njëzetenjëvjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë.

Më 1610 përmendet si ‘kapelan i të krishterëve’ në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore. Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve.
Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me françeskanët nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.

Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (Vicario Generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme, për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare, që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje, si dhe për kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit shqiptar.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij në dioqezën e tij e në zonat ku jetoi e veproi, qe njëkohësisht kishtare ungjillëzuese dhe e natyrës kombëtare e shoqëroro-politike.

Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjes, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar lumin Drin.

Artikulli paraprakSTAR TREND – EDISON CENI
Artikulli tjetërSHQIPTARI PLUMBA POLICISË, ARRATISET DUKE U VËNË PISTOLETËN NË KOKË SHOFERËVE