Shqipëria është ngjitur me 9 pozicione në renditjen mujore të FIFA-s dhe trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit ka përse të gëzojë.

Ai e quajti fat drejtimin e “Kuqezinjve”. “Jam me fat që punoj këtu, sepse jam i lirë të punoj siç dua unë”, thotë italiani. Panucci pranoi se ka ndryshuar filozofinë e lojës në krahasim me De Biasin. Në një konferencë për shtyp mesditën e së enjtes, ai thotë se kjo i bën të pashmangshme ndryshimet në Kombëtare. “De Biasi kishte mënyrën e tij të punuarit, unë kam timen, prandaj mendoj se janë të pashmangshme ndryshimet në skuadër”, u shpreh ai.

Lidhur me prurjet e reja? “Po ndjek 2-3 lojtarë për të thërritur në Kombëtare dhe kemi të tjerë për të parë”, deklaroi ai. Trajneri italian u zotua se do të japë maksimumin për skuadrën, ndërkohë që vlerësoi edhe njëherë tjetër lojën e zhvilluar nga “Kuqezinjtë” në përballjen miqësore me Turqinë, sidomos në pjesën e dytë, të zhvilluar me 10 lojtarë pas daljes me dy të verdhë të Memushajt.

“Në pjesën e parë luajtëm me cilësi, në të dytën skuadra zhvilloi një lojë me karakter”, u shpreh Panucci.

Artikulli paraprakBURRI VRET ME THIKË GRUAN, SHKAK DYSHOHET XHELOZIA
Artikulli tjetërBASHA: S’DO LEJOJMË RAMËN TË EMËROJË PROKURORIN E PËRGJITHSHËM