90 vite më parë kolosi i fesë dhe atdheut, Atë Shtjefën Gjeçovi u vra në pabesi nga qarqet serbe teksa ndodhej në Zym të Hasit, afër Prizrenit në misionin e tij të shenjtë. Një vrasje që ende sot nuk është zbardhur. Në 90-vjetorin e vrasjes së tij kur ishte 55 vjeç, Padër Vitor Dema, përgjegjës i bibliotekës françeskane në Shkodër dhe famullitar i kishës Zoja Nunciatë në Lezhë tregon se serbët kishin kohë që e ndiqnin për shkak të veprimtarisë

kombëtare të françeskanit të shquar derisa arritën ta vrasin At Shtjefën Gjeçovin.
Vrasja e At Shtjefën Gjeçovit e cila goditi popullin shqiptar është fetare por edhe politike thotë Padër Vitor Dema sepse në atë kohë u bënë disa lëvizje të mëdha për bashkimin e kishës katolike me atë ortodokse bashkë me veprimtarinë për çështjen kombëtare, vrasje kjo që nga shteti shqiptar u la në harresë.

At Shtjefën Gjeçovi ishte një misionar shembullor duke shërbyer në zonat më të largëta aq sa disa herë u desh të ndërronte vendet sepse mbeti edhe pa ushqim por pavarësisht vështirësive ishte gjithnjë pranë popullit.

Përveçse një misionar At Shtjefën Gjeçovi është edhe një personalitet i shquar i letrave shqipe. Ai mblodhi në popull tregime dhe gjithçka tjetër duke arritur që të përpilonte veprën me vlera për identitetin kombëtar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, një vepër që sot keqkuptohet. Një tjetër kryevepër e françeskanit të madh është edhe “Agimi i Qytetnisë” që vjen si një thirrje për lirinë mes popullit shqiptar.

Shkëlqimin e tij At Shtjefën Gjeçovi e ka në vitet 1900 kur diskutohej për çështjen kombëtare derisa mori udhë Pavarësia e Shqipërisë. Të gjitha veprat lidhen me këtë ndjenjë të fortë që françeskanët e kishin, për fe dhe atdhe. Sot pas 30 vitesh demokraci ende vepra e plotë e At Shtjefën Gjeçovit nuk është botuar dhe shumëçka kanë mbetur dorëshkrime.

Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, Atë Shtjefën Gjeçovi pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. Atë Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës.

Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e fratit dhe më pas vijoi mësimet mes françeskanëve në disa vende të ndryshme por edhe jashtë Shqipërisë. Françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, deri kur dha edhe frymën e fundit.

Artikulli paraprakNEGOCIATAT/ RAMA ENDE SHPRESË SE FRANCA MUND TË NDRYSHOJË QËNDRIM: S’ËSHTË E PAMUNDUR TË ARRIHET NË KOMPROMIS
Artikulli tjetër“DËRGUT”, LAGJJA KU PO MERR FORMË NJË LANDFILL