
Besëlidhja e Lezhës ka zgjedhur Mirel Josën si trajnerin e ri të skuadrës, duke synuar të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të mbajë gjallë objektivin për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Një emër me shumë përvojë në futbollin shqiptar, Josa merr përsipër drejtimin e skuadrës lezhjane në një moment kur kërkohet reagim në kampionat. Tashmë, presidenti Pjerin Fushaj i beson Mirel Josës detyrën për të drejtuar projektin sportiv të Besëlidhjes dhe për ta çuar skuadrën drejt objektivave të vendosura në fillim të sezonit.
Synimi i drejtuesve është i qartë: ndërtimi i një ekipi konkurrues, që të luftojë deri në fund për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Mirel Josa vjen me një karrierë të gjatë në pankinat shqiptare, ku ka drejtuar disa prej klubeve kryesore të vendit dhe ka fituar trofe të rëndësishëm. Tashmë, sfida e radhës për të është Besëlidhja, një skuadër me traditë dhe ambicie, që kërkon të rikthehet sa më shpejt mes ekipeve më të mira të Shqipërisë.


