Franca po përballet me një valë të fortë trazirash, ndërsa qeveria po shqyrton masa të reja për të frenuar dhunën dhe për të rikthyer sigurinë në qytetet e prekura. Kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi të hënën se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mbetet një mundësi, nëse situata e kërkon.

“Jam plotësisht i vendosur të rikthej rendin”, deklaroi Lecornu pas një takimi krize me zyrtarët e qeverisë, duke shtuar se nuk e përjashton përdorimin e kësaj mase.

Megjithatë, kreu i qeverisë franceze theksoi se, në rrethanat aktuale, vendosja e shtetrrethimeve lokale duket një zgjidhje më e përshtatshme për të përballuar situatën. Lecornu u ka kërkuar autoriteteve rajonale të shqyrtojnë vendosjen e shtetrrethimeve të kufizuara në zona të caktuara, veçanërisht për të mbrojtur bizneset nga grabitjet dhe aktet e vandalizmit.

Sipas autoriteteve franceze, trazirat e fundjavës kanë prekur të paktën 3 mijë biznese. Qeveria ka njoftuar se ato do të përfitojnë nga një fond i posaçëm mbështetës, krahas masave të tjera për të përballuar dëmet e shkaktuara.

Kryeministri u përpoq gjithashtu të qetësonte opinionin publik, duke theksuar se dhuna nuk është përhapur në të gjithë territorin francez, por është përqendruar kryesisht në disa qendra urbane. Në mes të krizës, ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, paraqiti dorëheqjen, duke argumentuar se policia kishte humbur kontrollin në disa qytete gjatë fundjavës. Megjithatë, presidenti Emmanuel Macron nuk e pranoi dorëheqjen e tij.

 

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPROTESTAT E DHUNSHME/ RAMA: PO KRIJOHET IDEJA SIKUR PO DIGJET E GJITHË SHQIPËRIA, SULMI ORGANIZOHET NGA DUAR TË STËRVITURA PËR KËTË PUNË
Artikulli tjetërKONCERT NË SALLËN “KARDINAL MIKEL KOLIQI”