
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar buxhetin e Bashkisë për vitin 2027 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2027–2029. Në mbledhjen e radhës u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me mbështetjen sociale, subvencionimin e qirasë dhe administrimin e pronave publike. Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në mbledhje, duke e bojkotuar atë.
Përveç buxhetit të vitit të ardhshëm, këshilltarët miratuan përdorimin e fondit shtesë për ndihmën ekonomike, deri në 6 për qind, për muajin shtator 2026, si dhe një ndryshim në buxhetin e vitit 2026 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2026–2028.
Në mbledhje u miratua gjithashtu dhënia me qira e një pasurie prej 12 metrash katrorë në pronësi të bashkisë, si dhe heqja e kushtit të përdorimit për ish-godinën e Gjykatës, duke lejuar vënien e saj në përdorim të të tretëve. Një tjetër vendim ishte përcaktimi i vlerës maksimale të subvencionimit të qirasë dhe nivelit të qirasë mesatare në tregun e lirë për vitin 2026.
Pjesë e vendimmarrjes ishte edhe miratimi i projektit “Të Sigurt së Bashku”, që synon forcimin e mbrojtjes së grave nga dhuna, si dhe shtesa në planin buxhetor të bashkisë për zbatimin e tij.
Mbledhja u shoqërua edhe me një mesazh ndërgjegjësimi në kuadër të Tetorit Rozë, ku këshilltarët e pranishëm vendosën fjongon rozë, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të hershme dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.


