
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u shpreh ditën e sotme se Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë protestuesve që kanë ushtruar dhunë mbi policinë, pronën private dhe publike.
Në një deklaratë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo tha se ka një serë burimesh informacionesh që po merren në shqyrtim për të hetuar personat e dhunshëm.
Pjese nga fjala e Ervin Demos:
Janë një sërë burimesh informacioni që janë duke u përdorur, duke filluar me ato që janë publike, me vetë proklamacionin që kanë pasur media të ndryshme, për sa i përket protestave që kanë ndodhur. Po ashtu rrjetet sociale, dhe në të njëjtën kohë janë përfshirë edhe të gjitha imazhet e atyre institucioneve publike, apo private, prona private, apo publike, të cilat janë dhunuar gjatë këtyre ditëve.
Ky proces fatmirësisht sot është duke u facilituar, edhe nga vetë teknologjia, për ta bërë atë më të shpejtë, dhe ne kemi në fakt dita-ditës raste, të cilat janë të identifikueshme, edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave. Ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë këta protestues, të cilët kanë kryer akte dhune.
Ky proces do të vazhdojë. Policia e Shtetit është shumë e qartë, për sa i përket detyrës që ka, për të sjellë përpara Prokurorisë të gjitha ato çështje që do të ndërtohen, për të gjithë personat të cilët kanë kryer dhunë kundër institucioneve dhe pronës private.
Prandaj unë dua të garantoj të gjithë qytetarët që Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cenuar bizneset private, dhe këtë Policia po e bën falë edhe teknologjisë më shpejt edhe më saktë.


