
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një deklaratë për mediat, duke bërë publike paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, siç e ka quajtur ai.
“Kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë. Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.
Përgjegjësia është vetjake, kufizimet do të jenë të përkohshme. Paketa është me 6 instrumente, një akt normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël, ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve në bizneset e vogla, disa ndryshime në ligjin për tubimet, regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Shqipërisë”, u shpreh ai.
“Edhe këtë flamë fatkeqësie jo natyrore do ta shuajmë përballë protestuesve dhunues”, tha Rama.
Një nga masat e prezantuara është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga dhuna. Përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmit, ndërsa bizneset e mëdha në masën 70%.
Kryeministri prezantoi edhe ligjin për riparimin e dëmeve, sipas parimit “Kush thyen, paguan”, duke theksuar se përgjegjësia financiare për dëmet e shkaktuara do të bjerë mbi autorët dhe jo mbi taksapaguesit.
Sipas masave të prezantuara, kush qëndron në një turmë duke e ditur se përreth po ushtrohet dhunë dhe po shkatërrohet prona, mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë. Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët.
Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.
Rama theksoi se ligji do të zbatohet për të gjitha tubimet, përfshirë edhe grumbullimet sportive ku shkaktohen dëme materiale në pronën publike apo private. Sipas tij, askush nuk do të ndëshkohet vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, ndërsa masat do të varen nga sjellja e secilit person.
Kryeministri tha gjithashtu se ligji nuk kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes.


