
Bashkia Shkodër ka nisur fazën e dytë të ndërhyrjes për lirimin e plotë të oborrit të shkollës “Mati Logoreci”. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku Benet Beci përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se hapësira po u rikthehet nxënësve pas 30 vitesh zënie.
Krahas lirimit të oborrit, sipas Becit, është përgatitur edhe projekti për transformimin e tij. Ai parashikon krijimin e fushave sportive dhe ambienteve çlodhëse, duke u mundësuar fëmijëve të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të kalojnë kohën së bashku.
“Kemi nisur fazën e dytë të çlirimit të plotë të oborrit të shkollës ‘Mati Logoreci’, për t’ua rikthyer të gjithë hapësirën nxënësve, pas 30 vitesh zënie”, shkruan kryebashkiaku.
Ndërhyrja synon që oborri të vihet tërësisht në funksion të shkollës dhe nevojave të nxënësve, duke krijuar më shumë mundësi për lojë, sport dhe çlodhje.


