
Avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, është shprehur se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka takuar Veliajn në paraburgimin e Fierit, në orën 10:30 të darkës, në zyrën e drejtorit të Burgut.
“Siç ju e konstatuat, rezultoi në momentin që ka marrë vendim për të transferuar Veliajn, nuk e ka njoftuar Gjykatën, në shkelje të detyrimit të saj. Gjykata tha se ky material që ka çuar Veliaj do i referohet institucioneve përkatëse. Ne si grup ligjor i Veliajt do e vlerësojmë nëse ka vepër penale. Unë do tentoj ta takoj sot, nëse jo, do të ngelet për nesër.
Veliaj më ka informuar dhe më ka dhënë edhe shënimet që ka mbajtur gjatë takimit me Gogun. Është edhe një grup avokatësh të huaj që po merren me këtë çështje. Sa i përket pjesës së dytë, s’ka asnjë kërkesë të Veliajt për të takuar ministrin e Drejtësisë.
Ministri nuk mund të shkojë në këtë orar, në orën 10:30 të darkës. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të inspektojë kushtet e institucionit, por s’mund të takohë kokë më kokë një të pandehur që është nën gjykim nga gjykata, në zyrën e drejtorit të burgut”, tha mes të tjerash Ndreca.


