
Ndotja e ajrit në Shqipëri lidhet me rreth 3,551 vdekje të parakohshme gjatë vitit 2023, ndërsa kostoja e saj për mirëqenien ekonomike dhe sociale vlerësohet në ekuivalentin e 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Megjithëse treguesit e vdekshmërisë së lidhur me ndotjen janë përmirësuar gjatë dy dekadave të fundit, ekspozimi ndaj grimcave të imëta në ajër mbetet një problem serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe familjet më të cenueshme.
Sipas raportit të Bankës Botërore për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit në Ballkanin Perëndimor, vlerësimi për 3,551 vdekje të parakohshme në Shqipëri gjatë vitit 2023 bazohet në modelimin e ndikimit shëndetësor nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA). Shifra përfaqëson vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, të cilat, për shkak të përmasave shumë të vogla, mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të ndikojnë në sistemin kardiovaskular.
Banka Botërore i referohet edhe një vlerësimi të mëparshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilit ndotja me PM2.5 lidhej me rreth 4,600 vdekje të parakohshme në Shqipëri në vitin 2021. Megjithatë, institucioni sqaron se këto dy shifra nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt për të përcaktuar uljen e vdekshmërisë, pasi janë përllogaritur mbi metodologji dhe baza të ndryshme të dhënash.
Një tregues më i qëndrueshëm i ecurisë afatgjatë është reduktimi me rreth 53% i vdekshmërisë së parakohshme të lidhur me PM2.5 gjatë periudhës 2005–2022. Pavarësisht këtij përmirësimi, niveli i rrezikut mbetet i konsiderueshëm. Sipas një vlerësimi të OECD-së për vitin 2022, të cituar në raport, vdekshmëria e parakohshme nga ndotja e ajrit në Shqipëri përllogaritet në rreth 164 raste për 100 mijë banorë./ekofin.al


