
Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca, duke e shpallur atë të pafajshëm. Në shkallën e parë, 34-vjecari ishte dënuar me 4 vite e 4 muaj burg për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vjedhjes së energjisë elektrike.Nderkohe per dy të pandehurit e tjerë, Elvis Shpellzajn dhe Armel Nikdukajn, u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Lezhës. Ata janë dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Lutfije Çelami, Qemal Zaimi dhe Taulant Banushi.Tre personat u arrestuan në prill të vitit 2024 nga Policia e Lezhës, pas zbulimit të një ambienti të përshtatur për kultivimin e kanabisit në zonën e Kashnjetit. Gjatë operacionit, në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 2 mijë e 973 bimë narkotike, mes tyre edhe fidanë të gatshëm për t’u mbjellë në tokë, si dhe një sasi kanabisi.Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi gjithashtu 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe tre telefona celularë.


