Situata hidrometeorologjike në Qarkun Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të shiut gjatë orëve të fundit. Sipas raportimit të Prefekturës, deri në mëngjesin e kësaj të mërkure nuk raportohen problematika serioze, ndërsa shqetësimet kryesore lidhen me rënien e gurëve, rrëshqitjen e skarpatave dhe ndërprerjet e energjisë elektrike në disa zona.
Problematika janë evidentuar kryesisht në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në rrugët rurale të njësisë administrative Qelëz janë konstatuar rrëshqitje të skarpatave dhe rënie gurësh, ndërsa në Fushë-Arrëz raportohen rënie gurësh në disa segmente rrugore dhe ndërprerje të energjisë elektrike në njësinë administrative Blerim.

Ndërkohë, në Shkodër janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, por pa problematika të tjera të raportuara. Në Malësinë e Madhe dhe Vau të Dejës, pavarësisht reshjeve me intensitet mesatar deri të lartë, situata vijon të jetë e qëndrueshme.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 48 milimetra reshje shiu. Nivelet e ujit në lumin Drin, Liqenin e Shkodrës dhe digën e Shtodrit mbeten nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri për të përballuar prurjet.

Prefektura e Shkodrës bën apel për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në akset rrugore malore, ku janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje të skarpatave. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin e qarkut.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakAPELI SHPALL TË PAFAJSHËM VËLLAIN E ISH-DEPUTETIT TË PS
Artikulli tjetërPEMËT RREZIKOJNË BANORËT, KËRKOHET NDËRHYRJE