Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë. Vendimi mori mbështetjen e 61 deputetëve, ndërsa pika u përfshi në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

Sipas masave të miratuara, ndërmarrja “Ibër-Lepenci” obligohet të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal. Po ashtu, parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të ketë rol në trajtimin e situatës së krijuar në sektorin energjetik.

Ndërkohë, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, me 61 vota për. Votimi u zhvillua rreth orës 00:45, pasi edhe kjo pikë ishte përfshirë në rendin e ditës përmes mocionit. Me 61 vota për, deputetët miratuan në lexim të parë edhe Projektligjin për Efiçencën e Energjisë, ndërsa votimi për këtë pikë përfundoi rreth orës 01:15.

Pas orës 02:00, Kuvendi miratoi në lexim të parë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me 62 vota për, 8 kundër dhe një abstenim. Ky projektligj u kundërshtua nga deputetët e Listës Serbe./ KosovaPress

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAPORTI/ ÇMIMET E USHQIMEVE NË SHQIPËRI U RRITËN 5 HERË MË SHUMË SE NË BE NË TETOR 2026
Artikulli tjetërITALI/ GREVË E PËRGJITHSHME NË TË GJITHË VENDIN, NDËRPRERJE NË TRANSPORTIN PUBLIK, ARSIM E SHËNDETËSI