Një gjest i veçantë respekti, mirënjohjeje dhe vlerësimi për një njeri që ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij sportit. Në prag të 60-vjetorit të lindjes, klubi Vllaznia ka zgjedhur të jetë pranë gazetarit sportiv shkodran Edmond Dibra, i cili prej afro tri javësh po përballet me një sfidë të vështirë shëndetësore. Drejtori sportiv i Vllaznisë, Alban Neziri, së bashku me futbollistët Bekim Balaj dhe Erdenis Gurishta, në emër të klubit, i kanë bërë një vizitë gazetarit Dibra, duke i dhuruar një fanellë kuqeblu me firmat e të gjithë futbollistëve të skuadrës. Një dhuratë simbolike, por me një domethënie të madhe për një njeri që për shumë vite dha një kontribut të çmuar si komentar dhe gazetar sportiv…

Kapiteni Bekim Balaj, i uroi shërim sa më të shpejtë gazetarit Dibra dhe një rikthim sa më të afërt me zërin e tij në komentin e ndeshjeve nga stadiumet. I prekur nga ky gjest, Edmond Dibra falenderoi klubin Vllaznia për vëmendjen dhe respektin e treguar në këtë periudhë të vështirë për të.

Pasioni i Edmond Dibrës për futbollin dhe Vllazninë ka lindur që në fëmijëri, kur ndiqte si tifoz skuadrën e zemrës. Me kalimin e viteve, pasioni u kthye në profesion, duke e bërë atë një prej zërave të njohur të gazetarisë sportive shkodrane. Prej 22 vitesh pa ndërprerje, ai ka komentuar në radio ndeshjet e Vllaznisë, por edhe të shumë skuadrave të tjera, duke përcjellë te dëgjuesit emocionet e lojës së futbollit.

Gjatë këtyre tri javëve, gjendja shëndetësore e gazetarit Dibra ka shënuar përmirësim gradual, duke shtuar shpresën se shumë shpejt do të mund ta shohim sërish në stadiume, shtëpinë e tij të dytë, pranë Vllaznisë me komentet emocionuese.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakDEZINFORMIMI,“KUR GËNJESHTRA VISHET SI E VËRTETË”
Artikulli tjetërERION VELIAJ DO T’I NËNSHTROHET OPERACIONIT MË 23 NËNTOR, DREJTORIA E BURGJEVE: NDËRHYRJA NUK ËSHTË URGJENTE