
Në një realitet ku informacioni qarkullon me shpejtësi dhe Inteligjenca Artificiale po krijon mundësi gjithnjë e më të mëdha për manipulimin e tij, të rinjtë përballen me sfidën e të dalluarit të së vërtetës nga mashtrimi. Kjo tematikë u trajtua në një formë ndryshe në shkollën e mesme “28 Nëntori”, përmes shfaqjes teatrale “Kur gënjeshtra vishet si e vërtetë”. Nxënësit Eden Bushati, Hea Lohja dhe Noel Hoxha përmes gjuhës së artit përcollën mesazhin se çdo informacion kërkon verifikim duke qenë se kjo dramë bazohet në një histori të vërtetë mashtrimi që përfshiu institucione arsimore dhe një ambasadë të rëndësishme në vend pak vite më parë.
Drejtorja Zyrës Vendore Arsimore në Shkodër Brisela Kadia, vlerëson rëndësinë e nismave që i ndihmojnë nxënësit të përballen me sfidat e kohës dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme. Në emër të shkollës së mesme “28 Nëntori”, mësuesja Albana Kaloshi i kërkoi të rinjve që të reflektojnë duke qenë se dezinformimi është pjesë e përditshmërisë së tyre.
Regjisori i shfaqjes Astrit Fani, deklaroi se dezinformimi sot prek gjithë shoqërinë shqiptare ndërsa falenderoi ata që e mbështetën këtë shfaqje për të rinjtë.
Më herët pjesa artistike u shfaq edhe në dy shkollat e mesme “Oso Kuka”, “Jordan Misja” dhe teatrin “Migjeni” në festivalin “Gjegju Fest” duke u përmbyllur me shkollën “28 Nëntori”. Drama, pjesë e projektit “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe Artit Skenik për Luftimin e Dezinformimit” financohet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, AMSHC dhe zbatohet nga organizata Edu Media.


