Pesë oficere femra të forcave afgane të sigurisë janë vrarë teksa udhëtonin për në punë, në aeroportin e qytetit të Kandaharit.

Oficeret, që kishin si detyrë kontrollin e udhëtareve femra, si dhe shoferi i furgonit që po i transportonte gjetën vdekjen pasi dy persona të armatosur në bordin e dy motoçikletave hapën zjarr ndaj tyre. Deri tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi. Gratë në Afganistan bëhen shpesh shënjestër e talebanëve, por një zëdhënës i grupit të militantëve mohoi çdo përfshirje në këtë sulm. Ahmadullah Faizi, drejtor i aeroportit, deklaroi se oficeret kishin qenë të shqetësuara për sigurinë e tyre pasi kishin marrë kërcënime me vdekje nga persona që nuk aprovonin karrierën që kishin zgjedhur. Zyrtari tha gjithashtu se, një hetim është në zhvillim e sipër, por ende nuk është kryer asnjë arrestim. Sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm afgan, në 8-mujorin e parë të vitit 2016 janë regjistruar 3.700 raste të dhunës kundër grave, ndërsa një vit më parë 5 mijë.

Artikulli paraprakALEPPO, KËSHILLI I SIGURIMIT PRITET TË DËRGOJË MBIKËQYRËS PËR EVAKUIMIN
Artikulli tjetërPD, BASHA PRET ALI AHMETIN E BDI-së