Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të votojë gjatë kësaj të diele nëse do të dërgojë mbikëqyrës në qytetin e shkatërruar sirian të Aleppos.

Franca ka propozuar që zyrtarët duhet të monitorojnë përpjekjet për evakuim dhe të raportojnë mbi mbrojtjen e civilëve. Shumë banorë mbeten ende të bllokuar në zonën lindore të qytetit, në temperatura tepër të ulëta dhe në kushte të rrezikshme, në pritje për t’u shpëtuar nga ekipet e evakuimit. Plani për t’i zhvendosur civilët nga këto zona u shkel të premten, megjithatë raportime të fundit thonë se të dyja palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re. Mounir Hakimi, kreu i Ndihmës siriane, tha për BBC-në se organizata bamirëse ishte duke pritur që disa prej civilëve të evakuuar t’i drejtonin nga kufiri siriano-turk. “Jemi në pritje të arritjes së një marrëveshjeje të re, – tha ai. – Lajmi që kam për sot është se marrëveshja është arritur 6 orë më parë dhe se ekipi është gati”. Ndërkohë, ekzistojnë shqetësime se mocioni i Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrësit të pengohet nga Rusia, një aleate e presidentit të Sirisë, e njëkohësisht edhe një anëtar me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Moska ka vendosur veton në 6 rezoluta të mëparshme për Sirinë, që prej nisjes së konfliktit në vitin 2011. Franca shpërndau një projektrezolutë mbrëmjen e së premtes, ku theksonte se Këshilli është “i alarmuar” nga kriza gjithnjë e më e keqe humanitare në Aleppo, aty ku “dhjetëra mijëra njerëz” janë në rrezik. Të paktën 6.000 persona janë larguar nga lindja e Aleppos gjatë armëpushimit të brishtë të së enjtes, por operacioni u ndal vetëm një ditë më vonë. Qyteti i rrethuar, i mbajtur nën kontrollin e rebelëve anti-Assad prej 4 vitesh, pa gjatë javëve të fundit avancimet më të mëdha të forcave qeveritare të mbështetura edhe nga sulmet ajrore ruse, apo edhe nga Irani.

Artikulli paraprakFARAGE KËRKON TË JETË “URA” MES BRITANISË DHE TRUMPIT
Artikulli tjetërAFGANISTAN, VRITEN 5 OFICERE FEMRA TË FORCAVE TË SIGURISË