Afro 3 mijë punonjës të administratës të bashkive të qarkut Shkodër nuk kanë marrë ende pagat ndërsa disa institucione të tjera i kanë marrë në kohë vonesë. Gjatë gjithë këtyre ditëve përmes formave nga më të ndryshmet janë një numër i lartë i këtyre punonjësve të cilët kanë kontaktuar Star Plus Televizion ose edhe vetë gazetarët duke shprehur ankesat e tyre për vonesën e pagave por duke mos preferuar që të flasin në media si shkak i frikës.

Pothuajse të gjitha bashkitë buxhetin e 2020 e kanë kaluar brenda dhjetorit siç parashikon ligji por edhe pse kanë kaluar 16 ditë prefektura e qarkut Shkodër nuk i ka firmosur ende pjesën më të madhe të tyre. Prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja ka marrë pushimin vjetor dhe ndodhet në Australinë e largët prej disa kohësh por para se të largohej ka deleguar firmën e tij për sekretaren e prefekturës së qarkut Shkodër Felek Brahimi.

Kjo e fundit bashkë me stafin e saj po punojnë për të firmosur këto buxhete dhe paketat fiskale të bashkive të qarkut Shkodër por është një volum i madh dokumentacionesh dhe faqesh gjë e cila ka sjellë këto vonesa. Pavarësisht kësaj janë një numër i lartë të punonjësve të thjeshtë të cilët jo vetëm se nuk kanë paga të larta si drejtuesit e institucioneve por kanë probleme nga më të ndryshme familjare dhe paga për to është tejet e rëndësishme.

Disa janë në shtëpi me qera, disa të tjerë kanë kredi mujore për të paguar, disa të tjerë kanë të sëmurë apo shpenzimet për fëmijët dhe shpenzime të tjera që i nevojiten një familjeje të thjeshtë. Madje shumë prej tyre duhet që nga kjo pagë që marrin të heqin karburantin për makinën kur shkojnë në punë, oferta telefoni që sërish i nevojiten për punën për të mos përmendur edhe veshje apo vegla pune që nganjëherë detyrohen t’i blejnë vetë.

Megjithatë vështirësitë ekonomike që mund të kenë një pjesë e këtyre 3 mijë punonjësve afërsisht, vonesa e pagës është një shqetësim serioz për ta.

Nëse firmosja në prefekturë e dokumenteve bëhet deri në këtë fundjavë i bie që afërsisht deri në mesjvanë tjetër askush të mos paguhet deri sa të kryhen të gjitha procedurat dhe pagat të dalin në bankat përkatëse. Edhe vitet e kaluara ka patur vonesa por kësaj radhe 16 ditë janë shumë pa llogaritur që pagat mund të merren rreth datës 21 ose 22 janar.

Artikulli paraprakSTAR TREND – 16.01.2020
Artikulli tjetërRRUGICAT E NGUSHTA PROBLEM NË LAGJEN “SKENDERBEG”