Dy ekipet e akademisë Vllaznia vazhdojnë me rezultatet pozitive edhe në javën e tretë të kampionatit.

Të dy skuadrat kanë fituar ndaj akademisë së Laçit. Fillimisht Vllaznia U-17 ka fituar 3-0 ndaj laçianëve në sfidën e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri i ri Harris Lika nuk e kanë patur të vështirë fitoren. Seria e golave hapet shumë shpejt që në minutën e 10’ me anë të Lezhës. Vetëm pas shtatë minutash shkodranët realizojnë edhe golin e dytë me anë të Çardakut. Pjesa e parë mbyllet 2-0. Në të dytën sërish dominon Vllaznia teksa Sekja realizon golin e tretë në minutën e 71’. Në këtë mënyrë pas 3 javësh kampionat 17-vjeçarët kryesojnë me 9 pikë së bashku me Shkëndinë. Më pas renditet Tirana dhe Kukësi me nga 4 pikë. Edhe ekipi i të rinjve ka arritur të fitojë ndaj Laçit por me një rezultat të ngushtë. Ka mjaftuar një gol në fundin e pjesë së parë që Vllaznia të marrë fitoren. Për ekipin e drejtuar nga trajneri Albert Kaçi ka shënuar Brahimi duke vulosur fitoren e U-19. Pas kësaj fitoreje edhe të rinjtë e Vllaznisë kapin kreun e renditjes. Kështu shkodranët mbajnë vendin e përë me shtatë pikë aq sa ka edhe Brians. Në vendin e tretë renditet Tirana. Kuqeblutë kanë 2 fitore dhe 1 barazim në këtë fillim kampionati duke e nisur kështu pozitivisht. Javën e ardhshme akademia Vllaznia luan në transfertë me skuadrat e Internacional.

Artikulli paraprakKUVENDI MBAN NJË MINUTË HESHTJE PËR ISH-DEPUTETIN GILMAN BAKALLI
Artikulli tjetërCUNGU: VLLAZNIA DOMINOI NDAJ LUFTËTARIT