Akademia Vllaznia, me dy ekipet e saj U-19 dhe U-17, arriti të sigurojë këtë javë një fitore dhe një humbje në ndeshjet e rradhës në kampionat, të cilat u zhvilluan që të dyja në Shkodër ndaj Tiranës mike. Kështu, në fund të 90-minutave, U-19 fitoi 1-0, ndërsa U-17 pësoi një humbje minimale me rezultatin 0-1.

Sa i takon ndeshjes së 19-vjeçarëve, një gol i sulmuesit Kevin Dodaj në pjesën e parë mjaftoi që Vllaznia të marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen ndaj Tiranës. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznia U-19, Vioresin Sinani, u shpreh se kjo fitore e kënaqi atë personalisht, pasi futbollistët e tij derdhën djersë dhe luftuan për çdo top.

Edhe autori i golit, Kevin Dodaj, u shpreh se po kalon momente të bukura në këtë periudhë, duke qenë se edhe shënoi ndaj Tiranës, por edhe debutoi me ekipin e parë të Vllaznisë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga ekipi i të rinjve, ai i Vllaznia U-17 është mposhtur me rezultatin 0-1 nga Tirana në ndeshjen e rradhës për kampionat, që u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi”. Fatin e këtij takimi e vendosi një 11-metërsh i kthyer në gol nga futbollisti Dervishi për bardheblutë, por në fakt ka qenë një 11-metërsh, i cili është kontestuar fuqishëm nga shkodranët, sepse sipas tyre vendimi i arbitrit Granit Sulko ka qenë i padrejtë në këtë rast. Këtë gjë e ka deklaruar pas ndeshjes edhe vetë trajneri i Vllaznia U-17, Ersi Çaku.

Me fitoren ndaj Tiranës, Vllaznia U-19 është ngjitur në kuotën e 17-pikëve, duke ndarë për momentin vendin e parë të renditjes me Partizanin, ndërsa Vllaznia U-17 renditet në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 9-pikëve.

Artikulli paraprak120 VJETORI I ATË DONAT KURTIT, BOTOHEN 7 VËLLIME
Artikulli tjetërNISIN PUNIMET NË ARGJINATURËN E DARRAGJATIT