Alexandër Ceferin është presidenti i ri i UEFA-s. Kështu Michel Platini përfundimisht i jep lamtumirën drejtimit të institucionit më të lartë të futbollit në Europë.

UEFA u mblodh në Athinë për të zgjedhur pasuesin e francezit, në një gare që u zhvillua mes sllovenit Ceferin që ishte edhe favorit dhe holandezit Michael Van Praag. Michel Platini, pavarësisht skualifikimit 4-vjeçar të marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, u ftua për të hapur punimet e Kongresit të 12 të Jashtëzakonshëm. Ceferin u zgjodh me 42 vota pro, ndërkohë që për Van Praag votuan 13 vende nga 55 pjesëmarrëse. “Ju duhet të vijoni të ndiqni këtë mision të bukur pa Michel Platininë për disa motive te të cilat nuk dua të rikthehem sot. Duhet të dini thjeshtë dhe vetëm faktin që ndërgjegjja ime është e pastër. Jam i bindur se nuk kam bërë as gabimin më të vogël, ndaj dhe do të vijoj betejën time ligjore. Unë e dua futbollin. Ne kemi ndërmarrë së bashku përpjekjet për ta zhvilluar atë dhe për ta ruajtur nga çdo efekt shtesë apo derivat, që suksesi i tij planetar të mund të prodhonte. Treni është në shinat e duhura, por udhëtimi është ende i gjatë dhe ka ende shumë gjëra për të bërë, sepse futbolli mbetet gjithsesi një lojë, pavarësisht abuzimeve të rënda që e kërcënojnë. Kjo, sepse nuk mund të ekzistojë një futboll i kombeve të mëdha dhe një futboll i vendeve të vogla, një futboll i klubeve të mëdha dhe një mbledhje e përjavshme gjatë të dielave mes djemsh lagjeje. Ekziston vetëm një futboll, i cili nuk i përket as FIFA-s dhe as UEFA-s, por na përket të gjithëve ne. Sot doja vetëm t’iu thoja faleminderit”-tha Platini i cili u shpall fajtor për shkelje të etikës në lidhje me një pagesë prej rreth 15 milion paund.

Artikulli paraprakRAMA SHTRON DREKË FALENDERIMI ME DEPUTETËT
Artikulli tjetërRIKTHEHET “FIFTY SHDAES OF GREY” TASHMË ME SERINË E DYTË “FIFTY SHADES DARKER”